55-vjeçari, Kujtim Cakrani, është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Vlorës, në repartin e kirurgjisë, pas një përplasjeje fizike me një person tjetër.
Ngjarja është regjistruar rreth mesditës së sotme në qytetin bregdetar. Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka nisur fillimisht si një grindje verbale mes dy personave, për shkak të lënies hapur të derës së një automjeti. Situata më pas ka degraduar në përplasje fizike, ku 55-vjeçari është dëmtuar pasi është goditur nga dera e automjetit.
Menjëherë pas incidentit, i dëmtuari është transportuar drejt spitalit për trajtim mjekësor, ndërsa policia ka mbërritur në ambientet e spitalit dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Burime bëjnë me dije se Kujtim Cakrani njihet edhe si avokati i ish-presidentit Ilir Meta.


