Reshjet e dendura të shiut që përfshinë zonën e Kurbinit gjatë natës nuk kanë shkaktuar probleme me përmbytje, ndonëse intensiteti i tyre ka rritur ndjeshëm nivelin e kanaleve kulluese. Situata paraqitet më e ndjeshme në zonën e Adriatikut dhe Fushë Mamurrasit, por fatmirësisht uji nuk ka depërtuar në sipërfaqet e tokave bujqësore.
Sipas informacioneve nga strukturat vendore, dy hidrovorët në zonën e Adriatikut janë vënë në punë me kapacitet të plotë për të përballuar prurjet e ujit dhe për të shmangur rrezikun e përmbytjeve.
Kjo situatë rikthen në vëmendje përmbytjet e mëdha që përfshinë Kurbinin rreth një muaj më parë, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe në disa banesa të zonës.


