Komisioni i Ekonomisë ka nisur dëgjesat me kandidatet për të plotësuar vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës të Shqipërisë. Në total kanë shfaqur interesin njëzet kandidatë për të plotësuar vendet e mbetura bosh që prej dhjetorit të vitit të kaluar.
Aplikimet janë depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë, dhe kandidatët kanë kryesisht formim ekonomik dhe financiar , me përjashtim të ish kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj e cila vjen nga fusha e jurisprudencës. Tre anëtarët, Luljeta Minxhozi, e cila mbante edhe postin e zv- guvernatores së parë, Violeta Staka dhe Artan Hoxha kanë rikandiduar.
Si pasojë e vakancave Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk mund të marrë vendime deri në plotësimin me anëtarët e rinj. Pavarësisht se mund të realizojë mbledhje.
Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, nga të cilët pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi; tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave si dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
Tashmë Kuvendi ka shpallur 3 vakanca me kandidatët e vetëofruar, ndërsa 3 propozime do të bëhen nga qeveria.


