Dalja nga BE, “qershia e sherrit” mes Britanisë e Francës

schedule16:12 - 20 Janar, 2018

schedule 16:12 - 20 Janar, 2018

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Britania e Madhe i ka dyert e hapura për një marrëveshje tregtare kur të dalë nga BE-ja. Por mbretëria, sipas tij, duhet të pranojë disa kushte dhe jo të zgjedhë vetëm “qershinë mbi tortë”.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar mund të arrijë një marrëveshje me BE-në për tregtinë e lirë pas daljes nga Unioni. Por ai ka paralajmëruar se ajo nuk do të ketë akses në tregjet individuale pa pranuar më parë kushtet e Brukselit. Në një intervistë për BBC që do të publikohet të dielën, Macron ka deklaruar se Britania nuk mund të zgjedhë vetëm elementët që dëshiron ajo në një marrëveshje. “Nuk mund të zgjedhësh vetëm qershinë mbi tortë”, ka thënë Macron sa i takon çështjes së tregjeve individuale, pasi kjo sipas tij do të sillte në shkatërrimin e këtyre tregjeve. Presidenti ka deklaruar se, me rëndësi është që qeveria në Britani të mos u bëjë qytetarëve të saj të mendojnë se përpara kanë një tortë që mund ta hanë sipas dëshirës. Nga ana tjetër, në një intervistë për gjermanen “Bild” kryeministrja britanike Theresa May ka deklaruar se nuk është në planet e Mbretërisë së Bashkuar të zgjedhë vetëm “qershinë mbi tortë” kur bëhet fjalë për marrëveshjen me BE. “Ne duam të negociojmë për një marrëveshje të tregtisë së lirë dhe një partneritet sigurie. Ajo që unë dua dhe shpresoj të arrijmë është që marrëdhëniet e mira mes popujve në të dyja anët e Kanalit të njihen dhe të pranohen”, ka thënë May. Ndër të tjera, gjatë intervistës Macron ka lënë të kuptohet se Britania mund të ketë marrëdhënie shumë të ngushta me BE-në, duke dhënë si shembull relatat e Unionit me Norvegjinë. Por sa u takon tregjeve, ka shtuar shefi i pallatit Elize, ajo nuk mund të ketë akses nëse largohet./abcnews.al