TIRANË- Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se Partia Demokratike ka sot shansin e fundit për të marrë pjesë në Komisionin i Posaçëm Parlamentar të Reformës Territoriale.
Ai theksoi se nëse Partia Demokratike nuk merr pjesë në punimet e komisionit, atëherë socialistët do jenë të detyruar të gjejnë mekanizmat zhbllokues, me qëllim çuarjen përpara të punimeve të komisionit.
“Me këtë ritëm reformash, Shqipëria i ka të gjitha shanset të integrohet në BE brenda 2029. Secili prej nesh, pavarësisht grupit politik ku bën pjesë, duhet të kuptojnë se është një mandat historik, sa i përket intensitetit të punës me të cilën duhet punuar në Kuvend. Seanca të gjata do kemi në vazhdimësi. Kjo është një legjislaturë intensive.
Nuk bëj ultimatume, por kam bërë një kërkesë kolegëve deputetë të PD, që të reflektojnë sa i përket detyrimit që kanë për të zbatuar vendimin e Kuvendit për Komisionin e Reformës Administrative.
Jemi tre muaj pas ngritjes së këtij komisioni, një reformë e rëndësishme për të thelluar përmirësimin e shërbimeve publike. Jemi në situatën që deputetët e PD nuk lejohen nga lidershipi për të marrë pjesë në mbledhje.
Besoj dhe shpresoj se sot në Komisionin e Reformës Territoriale , jo vetëm deputetë do të jetë prezentë, por të marrin dhe detyrat në mënyrë që nesër në seancën e Kuvendit, të mos jemi të detyruar të bëjmë mekanizmat zhbllokues.”, tha ai.


