Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Kosovë/ Ndalohen 34 persona nën dyshimet për manipulime me vota

schedule15:10 - 1 Shkurt, 2026

schedule 15:10 - 1 Shkurt, 2026

Autoritetet në Kosovë kanë ndaluar të dielën 34 prej 43 të intervistuarve, të cilët dyshohen për manipulim të votave të kandidatëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.

Atyre u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur të dielën se ka urdhëruar Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës që të intervistojë kryesuesit e Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Veriut, Mitrovicë të Jugut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Ditëve të fundit, autoritetet në Kosovë kanë intervistuar qindra njerëz nëpër komuna të ndryshme, dhe kanë ndaluar dhjetëra, nën dyshimet e njëjta.

Përgjatë procesit të rinumërimit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.



Për disa zyrtarë shtetërorë, ky ka qenë “procesi më i komprometuar zgjedhor” në Kosovë, pasi vendi është lavdëruar shpesh nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për organizim të proceseve zgjedhore të drejta dhe transparente.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka përfunduar procesin e rinumërimit të premten në mbrëmje, ndërsa i ka publikuar rezultatet përfundimtare të nesërmen. Anëtarët e KQZ-së i kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, ndërsa partia serbe ka thënë se do të ushtrojë ankesë. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se palët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e ankesës për 48 orë pas shpalljes së rezultateve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!