Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 02:45, është shënuar një rritje e pazakontë e nivelit të detit, një fenomen që sipas peshkatarëve vendas nuk është vërejtur më parë me këtë intensitet.
Uji ka avancuar drejt tokës duke depërtuar në disa zona pranë qendrës së peshkimit në Radhimë, ndërsa varkat e ankoruara janë tendosur fort nga litarët për shkak të ngritjes së menjëhershme të nivelit të detit. Po ashtu, uji ka vërshuar edhe në magazinat pranë portit të peshkimit, duke krijuar një situatë shqetësuese për mjetet dhe pajisjet e punës së peshkatarëve por fatmiresisht pa probleme
Sipas dëshmive të tyre, rritja e nivelit të detit ka qenë dukshëm më e madhe se baticat e zakonshme, duke arritur gati në 1 metër, madje edhe më shumë.
Një tjetër element shqetësues ka qenë edhe fakti se disa peshq janë parë të dalë në tokë, një fenomen që zakonisht ndodh gjatë detit të trazuar ose ndryshimeve të forta të nivelit të ujit.
Zakonisht niveli i baticës dhe zbaticës është 40–60 centimetra, por kësaj here ka qenë më shumë se 1 metër.
Edhe peshkatarë të tjerë, të cilët ndodheshin në det në atë orë, tregojnë të habitur për këtë fenomen të rrallë, duke theksuar se nuk kanë parë kurrë më parë një rritje kaq të frikshme dhe të menjëhershme të nivelit të detit.


