Takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrit grek të Mbrojtjes, Nikos Dendias, ka nxitur debat politik mbi çështjet që mund të jenë diskutuar mes palëve, veçanërisht për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Skënder Minxhozi u shpreh se çështja e detit mund të mos ketë qenë tema kryesore e bisedimeve, pavarësisht akuzave dhe narrativës së ngritur nga opozita.
Sipas Minxhozit, ish-kryeministri Sali Berisha është fokusuar pothuajse tërësisht tek çështja detare, duke rikthyer në vëmendje debatin e para 15 viteve për marrëveshjen me Greqinë. Ai tha se Berisha po transformon retorikën e dikurshme, duke akuzuar sot qeverinë Rama se “i ka falur detin Greqisë”, ndërkohë që vetë marrëveshja e mëparshme ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Analisti theksoi se, nëse deti do të kishte qenë tema kryesore e takimit Rama-Dendias, të dyja qeveritë do të kishin përgatitur paraprakisht opinionin publik dhe do të kishte sinjale politike apo teknike më të qarta. Për këtë arsye, ai vlerësoi se çështja mund të ketë qenë pjesë e diskutimeve, por jo misioni kryesor i vizitës së ministrit grek në Tiranë.
“Berishës sot në këtë vizitë interesonte që të mos merrej me asnjë çështje tjetër, por u fokusua tek deti. Për të ishte deti. Vendimin e gjykatës Kushtetuese që Berisha i fali detin Greqisë, Berisha e transformon 15 vite më pas, që erdhi ministër i fuqishëm në Tiranë dhe thotë që Rama i fali detin Greqisë.
Më duket një narrativë që ka formësuar edhe opinionin për vizitën e Dendias. Do të kishte bisedime, jo teknike, por të paktën një kontakt politik dhe një parapërgatitje për opinionin publik unë mendoj se të dyja qeveritë do e kishin bërë.
Derisa nuk ka hapa të tillë uën gjykoj që nuk ishte deti mision primar sot Dendias, por ishte ajo që më së shumti kreu i opozitës, krijon një histori që për mua nuk ka elementë të mjaftueshëm që të rezultojë e vërtetë. Mund të ketë qenë në dy orë bisedime, në agjendën e takimit, por kam përshtypje që nuk ka qenë kryeçështja”, tha Minxhozi.


