Fundi i marsit është ende larg, por nuk mund të thuhet se kohë ka. Në futboll e nesërmja vjen shumë shpejt dhe padyshim që trajneri Silvinjo dhe stafi i tij e kanë harruar tërësisht suksesin në eliminatoret e Kupës së Botës, kur siguruam vendin në plej-of.
Ndeshje si ajo në Serbi apo në Moldavi le të jenë arkivë, ndërsa momenti është me shumë probleme.
Shqipëria ka disa futbollistë të dëmtuar, disa që luajnë pak, disa që janë duke u larguar nga klubi i tyre, ose që kanë shkuar në një klub tjetër.
Dëmtimet kanë goditur më shumë mbrojtjen, ku Ismajli e Gjimshiti kanë pasur shqetësime kohët e fundit, madje tepër shpesh këtë sezon.
Edhe Kumbulla nuk e ka vendin të garantuar në La Ligën e Spanjës tek Majorka pas dëmtimit që pësoi, dhe po ashtu Ivan Balliu këtë sezon herë luan e herë jo, ndërsa ka pasur dy përplasje me trajnerin.
Elseid Hysaj është drejt largimit nga Lacio, i lënë në stol edhe në ndeshjen e fundit në Serinë A, ndërsa ka luajtur shumë pak kohët e fundit.
Mario Mitaj gjithashtu nuk ka më sigurinë e mëparshme në Arabinë Saudite. Mbrojtësi i rëndësishëm i krahut të majtë ka alternuar ndeshje të plota si titullar dhe sfida të tjera kur është lënë në tribunë, dhe statusi i tij tek Al Itihadi është në dyshim prej muajsh.
Në mesfushë kanë probleme disa nga lojtarët më të rëndësishëm. Nedim Bajrami prej kohësh është rezervë te Gllazgou Rejnxhërsi në Skoci, ndonëse trajneri Silvinjo nuk e ka humbur besimin tek ai.
Asllani, ndërkaq, nuk po gjen stabilitet, që nga Interi, Torino e tani Beshiktashi, ndërsa nga Italia e larguan si të padëshiruar.
Medon Berisha, një nga më të mirët shqiptarë në Serinë A, mbetet i dëmtuar, edhe pse pritet të kthehet shpejt dhe të jetë gati për plej-ofin e Botërorit ndaj Polonisë.
Duke kaluar tek sulmi, Armando Broja ende nuk po ndez siç duhet.
Sulmuesi vërtet e shënoi një gol për Bërnlin në Angli pas gati dy vitesh, por kaq është tepër pak dhe kjo nuk mjafton që të themi se është në formën e duhur.
Rej Manaj është në ajër, duke mos gjetur qetësi as në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe as në Turqi, ndonëse me kombëtaren ka qenë i rëndësishëm.
Së fundmi, Mirlind Daku është pushim në Rusi dhe pritet të kthehet në fushë në fillim të marsit, kur rifillon Premier Liga.
Paradoksalisht, lojtarët tanë më në formë janë ata që Silvinjo ose i aktivizon pak, ose nuk i merr fare. Ernest Muçi ka qenë fenomen në Turqi, duke shënuar shumë dhe duke fituar edhe çmimin e golit të muajit dy herë.
Po ashtu, Anis Mehmeti ka shkëlqyer në kategorinë e dytë të Anglisë dhe, pas Bristol Sitit, kaloi tek Ipsuiçi, ndonëse prej dy vitesh e gjysmë nuk grumbullohet në ekipin përfaqësues.


