Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Ndërhyrjet në zemër në QSUT, rreth 600 pajisje kardiake u vendosën tek pacientët në 2025

schedule13:16 - 31 Janar, 2026

schedule 13:16 - 31 Janar, 2026

Problemet kardiake po rriten ndjeshëm, duke u kthyer në një shqetësim tepër serioz për shëndetin e popullatës. Shumë pacientë kanë shqetësim të vazhdueshëm dhe ndiqen nga mjekët rregullisht. Një nga pajisjet e mbajtjes nën kontroll të punës së zemrës janë edhe “pacemaker” ose siç quhen rëndom, bateri zemre.

Në shërbimin e Kardiologjisë në QSUT, vetëm gjatë vitit të kaluar, u janë vendosur pajisje të tilla gati 600 pacientëve me çrregullime të rrahjeve të zemrës. “Pacemaker” është pajisje elektrostimuluese kardiake, e cila imiton impulset e rregullta të zemrës për të mbajtur ritmin e saj konstant te pacientët me aritmi.

Emerli Murati ka vendosur baterinë e zemrës në trup në shërbimin e Kardiologjisë së QSUT. Prej kohësh kishte çrregullime të forta të rrahjeve të zemrës. 70-vjeçari nga Kukësi thotë për ABC News se shqetësimet e para i kishte ndier disa vite më parë, por nuk ishte konsultuar me mjekë deri ditën kur problemi u bë serioz.



“Kam ardhur nga Kukësi për shkak të rrahjeve të zemrës. Prej vitesh më jepte sinjalet e veta, por nuk kam bërë vizita të rregullta. Nuk e kam zbuluar herët, 3–4 vitet e fundit. Në fund përfundova me vendosjen e pacemaker-it,” shprehet pacienti.

70-vjeçari, tashmë pensionist, ka punuar shofer për më shumë se 50 vite. Ka qëndruar larg duhanit e alkoolit, por thotë se jeta sedentare mund ta ketë çuar në shqetësimet e zemrës. Murati tregon sinjalet që e lajmëruan se diçka nuk po shkonte siç duhet.

“Kam punuar 40 vite si shofer, cigaren e ndizja ndonjëherë, edhe alkoolin shumë rrallë. Sinjalet e zemrës duken kur dëgjon atë zhurmën. Zhurmë nga koka, te veshët edhe të bie të fikët”, theksoi ai.

Ashtu si mjekët, edhe 70-vjeçari bën apel për kontrolle periodike dhe një vigjilencë të shtuar për të mos neglizhuar asnjë simptomë paralajmëruese.

“Nuk bëjmë vizita të rregullta siç bëjnë bota. Të paktën një herë në vit të bëjnë një kontroll, se në fund përfundon tek unë”, theksoi ai.

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri dhe në botë, duke shënuar një përqindje shumë të lartë të vdekshmërisë totale. Këto sëmundje përfshijnë atakun në zemër dhe goditjet në tru, të nxitura nga faktorë si tensioni i lartë, duhanpirja dhe jeta sedentare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!