“Ngërc” edhe në procesin gjyqësor ndaj grupit “Shullazi”

schedule16:42 - 23 Dhjetor, 2019

schedule 16:42 - 23 Dhjetor, 2019

Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka shtyrë seancën gjyqësore për grupin “Shullazi”.

Shkak është bërë pretendimi i avokatëve se procesi duhet të nisë nga e para, me kalimin e çështjes në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër korrupsionit.

Prej disa muajsh procesi gjyqësor në Apel për grupin “Shullazi” vazhdon të shtyhet pasi gjyqtarët janë në konflikt interesi.

Të hënën u zhvillua seanca e parë në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por seanca u shty për shkak të pretendimeve të palës mbrojtëse se nuk është respektuar ligji.

Avokatët shprehen se duhet të ishte bërë një akt për kalimin e kompetencës nga Gjykata e Apelit për Krime të Renda në GJKKO-në e Apelit. Gjithashtu mbrojtësit e Emiljano Shullazit dhe 4 të dyshuarve të tjerë kanë pretenduar se procesi gjyqësor nuk mund të vazhdojë me trupën gjykuese që vjen nga gjykata e shkrirë tashmë.

Sipas tyre, ky proces duhet të nisë nga fillimi dhe të hidhet shorti për treshen e re të gjyqtarëve që do të gjykojnë grupin Shullazin në Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Avokatet Vladimir Meçe, Denion Bogdani dhe Bledar Meminaj çmuan se dy anëtarët e trupës gjykuese Artur Kalaja dhe Etleva Temo nuk janë gjyqtarë të posaçëm dhe për këtë arsye duhet që të shprehet Këshilli i Larte Gjyqësor.

Në lidhje me këtë “ngërç” procedural u shprehën edhe prokurorët e prokurorisë së posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të caktuar me short.

Altin Dumani dhe Eneid Nakuçi kërkuan që KLGJ të shprehet në lidhje me përbërjen e trupës gjykuese. Ndërsa avokati i caktuar kryesisht nga gjykata për Endrit Zelën ka dhënë dorëheqjen nga mbrojtja dhe ka paraqitur një raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë për një ditë.

Kërkesa për t’u dorëhequr është rrëzuar nga gjykata pasi nuk ishte e bazuar në fakte konkrete. Po ashtu, trupa gjykuese u shpreh se kalimi i kompetencës është i rregulluar me ligj.

Gjithashtu, kryesuesja e seancës Albana Boksi relatoi se është rrëzuar kërkesa e Emiljano Shullazit, Endrit Qyqes dhe Endrit Zelës për përjashtim nga ky gjykim i gjyqtarit Artur Kalaja. Emiljano Shullazi dhe 4 të pandehurit e tjerë u dënuan me 55 vite burg në total./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!