Kryeministri Edi Rama, në përvjetorin e 15 -të të 21 janarit, u shpreh se kjo ngjarje mbetet një “krim shtetëror i pashembullt për Evropën demokratike”. Ai theksoi se drejtësia ka dështuar të veprojë edhe pas 15 vitesh.
Sipas Ramës, në protestën e 21 janarit armët u drejtuan ndaj qytetarëve të pambrojtur, duke marrë katër jetë të pafajshme dhe duke plagosur protestues të tjerë.
Ai u shpreh se kjo ngjarje ka lënë një plagë të thellë jo vetëm te familjarët e viktimave, por mbi gjithë shoqërinë shqiptare.
Rama nuk kurseu kritikat as ndaj sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar mungesën e ndëshkimit si një dështim edhe të drejtësisë së re.
“Tytat e pushkëve u ulën drejt protestuesve, ku morën katër jetë të pafajshëm dhe duke plagosur edhe protestues të tjerë.
Krim shtetëror i pashembullt për Evropën demokratike duke përvëluar shpirtin e familjarëve të katër burrave, që nuk u kthyen më në shtëpi.
15 vjet pa drejtësi për 21 janarin janë 15 vjetët të një padrejtësie të madhe jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar, ndërsa për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vjetët janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth, dëshpërim dhe poshtërim. Dështim edhe i drejtësisë së re. I bëmë të pavarur, por nuk preken dot kriminelët e 21 janarit”, tha ai.


