Trafiku i drogës, zgjerohet harta e dhunës në Amerikën Latine

schedule13:07 - 20 Janar, 2018

schedule 13:07 - 20 Janar, 2018

Harta e luftës për kontrollin e drogës në Amerikën Latine sa vjen e zgjerohet. Të dhënat e fundit flasin për një rritje të kriminalitetit në shtetin e Kosta Rikës, ku bandat rivalizojnë njëra-tjetrën për kontrollin e rrugëve të trafikut.

Dhuna për kontrollin e drogës në Amerikën Latine sa vjen e bëhet më agresive. Në vitet e fundit vendi që ka parë një rritje të ndjeshme të krimeve të lidhura me trafikun e narkotikëve është Kosta Rika. Në vitin që lamë pas, vendi me 4.9 milionë banorë regjistroi 603 viktima, 25 më shumë se në 2016-n, duke arritur pikun. Sipas autoriteteve vendase, të cituara nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, bëhet fjalë për një numër ekzekutimesh në rritje që prej vitit 2012, kur vrasjet ishin 407. Sipas statistikave, vendi e mbylli vitin me kuotën e 12.1 vrasjeve për 100 mijë banorë. Sidoqoftë, këto të dhëna janë vetëm një fraksion i dhunës vrastare që ka përfshirë atë që njihet si “Trekëndëshi Verior” i Amerikës Qendrore, ku bëjnë pjesë Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori, ku llogariten përkatësisht 26, 48 dhe 60 vrasje për 100 mijë banorë. Amerika Qendrore është ndër rajonet më të rrezikshme në botë dhe shumica e akteve kriminale lidhen me përplasjen mes bandave dhe trafikun e drogës. Për Geoff Thale, përfaqësues i Zyrës së Uashingtonit në Amerikën Latine, lagjet e varfëra në Kosta Rikë kanë probleme të theksuara me krimin dhe drogën, por ende nuk kanë struktura të organizuara. “Ndaj mendoj se në këtë kuadër, shumica e viktimave vijnë nga përplasja e grupeve të vogla për të kontrolluar rrugët e narkotrafikut”, ka deklaruar Thale./abcnews.al