30-vjetori/ Basha uron LDK: Kemi sfida përpara, të bashkojmë forcat

schedule10:56 - 23 Dhjetor, 2019

schedule 10:56 - 23 Dhjetor, 2019

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh urimi Lidhjes  Demokratike të Kosovës me rastin e 30-vjetorit të themelimit. LDK, partia e themeluar nga Rugova sot drejtohet nga Isa Mustafa. Kjo parti doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, dhe vazhdon negociatat e vështira me LVV e Albin Kurtit për krijimin e qeverisë.

Basha thotë se LDK-ja është, partnere e qendrueshme dhe e palëkundur e Kosovës së pavarur.

Mesazhi i plotë i liderit demokrat, Lulzim Basha:

Sot në këtë 30 vjetor të themelimit, personalisht dhe në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, dua nga zemra ti uroj mbarësi e suksese simotrës tonë Lidhjes Demokratike të Kosovës, drejtuesve dhe mbështetësve të saj.

LDK lindi në një kohë të errët pushtimi, si shpresë e shqiptarëve të Kosovës për çlirim kombëtar dhe demokraci.

Në themel të njërës prej arritjeve më të mëdha të historisë së shqiptarëve, në themelet e Pavarësisë së Kosovës qendron shpirti, djersa dhe gjaku i drejtuesve, mbështetësve dhe atyre që besuan te LDK. Historia e LDK është histori e krenarisë së Kosovës, është pjesë e krenarisë kombëtare.

Veçanërisht në këtë ditë, është çasti të kujtojmë me nderim themeluesin e LDK, udhëheqësin e shpirtit të Kosovës së pavarur Presidentin Ibrahim Rrugova, si shembull largpamësie, emancipimi, kurajo dhe qëndrese.

Drejtuesve të LDK bashkë me urimin, dua ti garantoj se te Partia Demokratike e Shqipërisë, do të gjejë përherë mbështetjen vëllazërore, partneren e qëndrueshme dhe të palëkundur të Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe të zhvilluar.

Sfidat i kemi përpara por bashkimi i forcave, vizionit dhe vullneteve tona, do të bëjë të mundur ti përmbushim me sukses ato në shërbimin më të mirë të interesave tona kombëtare.

Gëzuar 30 vjetorin të dashur vëllezër dhe motra të LDK!

Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë, dhe shqiptarët kudo ku janë!