Pasojat e rënda të përmbytjeve ndihen ende në Durrës. Reshjet intensive të ditëve të fundit dhe prurjet e shtuara të lumit Erzen shtuan problematikat në Katund të Ri dhe Sukth.
Për përballimin e prurjeve, hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallajt po punojnë me kapacitet të plotë.
Mijëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë, e qindra banesa po ashtu. Situata detyroi 842 banorë të evakuohen nga shtëpitë e tyre.
Shume prej tyre janë akomoduar në struktura të posaçme, por ka edhe nga ata që kanë vendosur të strehohen pranë familjarëve.
Evakuimet janë kryer në mënyrë të vazhdueshme gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe orët e para të mëngjesit.
Në mes të kësaj situate të vështirë, banorët shprehen se dëmet në banesat e tyre janë të mëdha, ndërsa thonë se rrezikun e ndjejnë çdo ditë.
Procesi i vlerësimit do të vijojë për të verifikuar banesat e përmbytura.
Për të përballuar nevojat emergjente, Drejtoria e Rezervave Shtetërore ka siguruar qindra pako ushqimore, të shpërndara për familjet e prekura.
Po ashtu, në Durrës janë angazhuar 448 specialistë ku përfshihen punonjës të bashkisë dhe ndërmarrjeve, ujësjellësit, Policisë Bashkiake, OSHEE-së, si edhe 37 efektivë të Forcave të Armatosura.


