Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar një letërporosi në Prokurorinë e Posaçme SPAK, për të nisur hetime për verifikimin e pasurive të mundshme në Shqipëri të 89 shteasve Kosovarë. Kjo kërkesë është miratuar nga Gjykata e Posaçme duke I dhënë të drejtën SPAK të kryejë hetime.
SPAK ka kryer hetime për verifikimin e pasurive të mundshme në Shqipëri të 89 të dyshuarve, për krijim të të arrdhurave mbi bazën e aktivitetit kriminal. Prokuroria Speciale e Kosovës sqaron në kërkesën e saj për SPAK se është duke hetuar 31 persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash.
Ata janë identifikuar për shkak të komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, bazuar në të dhënat e marra nga autoritetet belge dhe franceze të drejtësisë.
Referuar hetimit të Prokuroisë Speciale të Kosovës të pandehurit i kanë investuar paratë e trafikut të drogës në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si brenda territorit të Republikës së Kosovës, ashtu dhe në vende të tjera përfshirë këtu Shqipërinë.
Për këtë arsye, pala kosovare kërkon të kalohet në filtër jo vetëm pasuritë e tyre, por edhe të 58 personave të tjerë, familjarë apo të afërm në emër të të cilëve mund të jenë regjistruar pasuritë e paligjshme. Në zbatim të kërkesës së Prokurorisë Speciale, SPAK do të gjurmojë jo vetëm pasuritë e paluajtshme të tyre, por edhe nëse kanë hapur llogari bankare në banka të nivelit të dytë në Shqipëri./abcnews.al

