Në PD paska krisma. Vetëm se pa leje. Sali Berisha nuk e fshehu shqetësimin e foltores paralele të Ervin salianjit. Të cilit i nxori kartonin e kuq, ende pa nisur loja.
“Këto janë veprimtari tërësisht private, nuk kanë asnjë lidhje me PD. E them edhe njëherë, janë në funksion të këtij apo atij itneresi, kjo mbetet për t’u parë, por PD ka forumet e saj demokratike. Kush del jashtë forumeve del. Nuk I përfill forumet, është puna e tij, është zgjedhja e tij.”
Në fakt, Ervin Salianji nuk po bën asgjë të re, thjesht po kopjon profesorin e tij, Sali Berishën. Edhe doktori në 2021 foltoret jashtë PD i nisi, por vetëm ai mund të jetë misionar, të tjerët vetëm e ndjekin. Dhe kush nuk e ndjek shpallet tradhtar.
“Unë jam model i dorëheqjes në Shqipëri. Unë përsëri po luftoj për një mission, në kushte shumë të vështira”
Doktori e jep dorëheqjen, vetëm kur përmbush misionin e tij, largimin e Edi Ramës. Por meqë misioni i tij është i pamundur, e pamundur është që ai të largohet vetë. Sidomos kur tradhtarët i ka të shumtë brenda radhëve.
“E bëra brenda strukturave për faktin se kreu i strukturave kishte tradhtuar kauzën e mbarë kombëtare.”
Por përballë drejtësisë, për 21 janarin, falen edhe tradhtitë politike. Dhe Berisha i dha sinjalin Bashës, se këtu vazhdojnë të jenë bashkë.
Ish-ministri i brendshëm Tahiri pretendoi se dispononte një shkresë të Bashës me urdhër ndaj Gardës për ngritjen e një helikopteri që do të hidhte mbi demonstruesit lëndë kimike. Këtu Berisha mbrojti ish ministrin e tij të brendshëm.
“Tani se ç’ngre apo trillon Saimir Tahiri apo tjetër kush, unë nuk di. Kryeministri nuk ka asnjë lidhje me asnjë regjistër. Kryetari i qeverisë nuk ka lidhje me asnjë regjistër të asnjë institucioni. Nuk mund të pyetem për këtë sepse kryetari i qeverisë nuk ka lidhje me asnjë regjistër të asnjë institucioni.”

