Pas më shumë se 12 orësh tension dhe negociata intensive në Orosh të Mirditës, dorëzimi i Julian Cumrakut dhe Hamza Ukës, dy personave të kthyer nga konfliktet në Siri dhe të cilësuar me rrezikshmëri të lartë, vijon të ngrejë pikëpyetje për motivet dhe rrethanat e tij.
Edhe pse ata u vunë në pranga mbrëmjen e së hënës, burime nga grupi hetimor konfirmojnë se të dy kanë refuzuar të japin deklarime, duke e “kyçur” komunikimin me autoritetet.
Eksperti i sigurisë Gjergj Nikolla dhe gazetarët Trashgim Sokolaj dhe Etleva Delia thanë në emisionin “Real Story” në ABC News se dorëzimi nuk ishte aq i thjeshtë sa u duk fillimisht dhe se pas kësaj lëvizjeje mund të fshihen dyshime apo dinamika ende të paqarta.
Sipas tyre, më shumë sesa një akt bashkëpunimi, dy të arrestuarit kanë kërkuar të shpëtojnë jetën, ndërsa negociatat me familjarët dhe kërkesa për garanci sigurie kanë qenë thelbësore në vendimin e tyre për t’u dorëzuar.
Gjergj Nikolla: Këta persona të kthyer nga Siria, jo të gjithë janë rehabilituar, këta e kanë problemin në mendje. Në psikologji quhet “ujqërit e vetmuar”. Vazhdojnë me të njëjtën filozofi. Dënimi i këtij personi nuk i ka arritur qëllimit, sepse synimi është që ata të rehabilitohen. Janë shumë të rrezikshëm, sepse janë të paparashikueshëm.
Trashgim Sokolaj: Akti dhe dorëzimi që bënë, është një përjashtimi nga rregulli. Ne prisnim që ata të vazhdonin të rezistonin. Mendonim që gjatë natës të kishte rezistencë. RENEA të ofron negociata, madje u premtojnë që do kenë lehtësira ligjore. Në rastin konkret është bërë një negociatë me familjarët. Ata kishin disa rezerva ushqimi. Ishte një ambient që nuk ishte banuar vetëm nga dy persona. Dorëzimi nuk më duket kaq i thjeshtë, duhet që të verifikohet. Deri më sot nuk pamë një dorëzim të tyre, ata thjesht kanë shpëtuar jetën e tyre.
Etleva Delia: Nuk kishin për qëllim që qëllonin policinë. Plagosja ndodhi aksidentalisht. Kanë kërkuar që t’u sigurohej jeta. Uka u vetëplagos me pistoletë.

