Edhe pse janë në Spanjë, jo të gjithë ndihen komodë. Nuk e kemi fjalën për dëmtime apo probleme të tjera, por për faktin se klima në Barcelonë është pak më e ftohtë sesa ishte menduar dhe disa lojtarë të kombëtares shqiptare kanë veshur tutat e gjata dhe kanë vënë kapuçin në kokë.
Gjithsesi, atmosfera është e mirë sepse trajneri Sylvinho i pati të gjithë lojtarët në dispozicion në seancën e dytë stërvitore në prag të ndeshjes së të enjtes kundër Andorrës në eliminatoret e Kupës së Botës.
Të fundit që u bashkuan me grupin ishin portieri Tomas Strakosha, lojtari ofensiv Nedim Bajrami dhe sulmuesi Mirlind Daku, që patën angazhime me skuadrat e klubeve më vonë se të tjerët dhe që erdhën në Barcelonë vetëm të hënën në mbrëmje.
Për fat, probleme me dëmtimet nuk ka me përjashtim të Kumbullës që nuk arriti të grumbullohej fare.
Kjo do të thotë se kombëtarja është thuajse 100 për qind e plotë dhe Sylvinho mund të bëjë zgjedhjet që dëshiron.
Mbetet të shihet se çfarë vendimesh do të marrë tekniku brazilian duke pasur parasysh se Shqipëria luan të dielën edhe ndaj Anglisë, në ndeshjen e fundit eliminatore të Botërorit.
Sylvinho mund të luajë me formacionin më të mirë kundër Andorrës për të marrë tri pikë që janë vendimtare, por edhe mund të kursehet sepse përballja me anglezët në “Arenën Air Albania” do të jetë e shkallës më të lartë të vështirësisë, dhe ndoshta mund të jetë ajo vendimtare për kualifikimin në play off.
Ndërkaq, këtë të mërkurë trajneri kuqezi do të ketë konferencën e shtypit në orën 17:00 besohet në krah të kapitenit Gjimshiti, ndërsa në orën 18:00 do të mbahet seanca e fundit stërvitore./abcnews.al

