KUKËS- Mes emocionesh të forta, matura e parë e shkollës së mesme Bicaj u takuan pas 50 vitesh. Nadirja, Fasliu, Afërdita, Burbuqja, Nexhati e Remzija janë 6 nga 8 maturantët e 1975-ës. Sot godina e shkollës nuk është më, por janë mbledhur në vendin ku mësuan deri në vitin 1975.
Granit Qypi ishte mësues kujdestar i kësaj mature. Sipas tij, ky takim rikthen atë lidhje të fortë që ekzistonte mes mësuesve dhe nxënësve. Bahri Elezi dhe Xhafer Karaj kanë dhënë mësim te kjo maturë. Nuk kanë refuzuar ftesë për këtë ditë të shënuar.
Thonë se ajo periudhë ishte një përjetim që tregonte lidhjen mes nxënësit dhe mësuesit, por edhe komunitetit me gjithë vështirësitë e kohës. Mësues që vinin nga rrethet, por e cilësojnë fat që kanë punuar në Bicaj në një komunitet arsimdashës.
Nadirja, Fasliu dhe Afërdita rrëfejnë dhe periudhën e maturës se si arritën të shkojnë në universitet e të ishin specialist të mirë të ekonomisë.
Takime të tilla janë një tjetër vlerë e memories për ato breza nxënësish e mësuesish që kanë kontribuar ndër vite e janë shembull i dijes dhe punës në shoqëri./abcnews.al

