Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 71”.
Gjatë aksionit, mësohet se u ndaluan shtetasit Elvis Roshi, Ermir Peqini, Dorian Cera, Arbit Nure dhe Fabjan Muça.
32-vjeçari Elvis Roshi ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim.
32-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, ka goditur me grushte, për shkak të detyrës, 1 punonjës të IEVP Fier.
Ndërsa 4 shtetasit e tjerë u arrestuan në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/

