Trajneri i përkohshëm i Tiranës, Emanuele Egbo, foli për Supersport pas fitores 2-0 kundër Flamurtarit. Në fjalën e tij, kreu i pankinës bardheblu preku disa tema, përfshirë këtu dhe të ardhmen e tij.
LODHJA – “E dija që kështu do të ishte ndeshja, pasi lojtarët shpenzuan shumë energji, emocionalisht dhe psikologjikisht ishin shumë të ngarkuar. E dija shumë mirë se Flamurtari do të luante më i tërhequr në pjesën e parë. Në fund kanë rëndësi vetën pikët”.
DËMTIMET – “Edhe mungesat janë një nga arsyet që ndikojnë. Për Muçin ishte ndeshja e parë që luante titullar. Karabeci ka luajtur pak ndeshje. Kemi luajtur me gjysmën e ekipit”.
STOLI – “Është zgjedhje personale, vetëm unë dhe presidenti e dimë. Nuk është se nuk e bëj dot unë trajnerin, është zgjidhje për arsye shëndetësore dhe personale. Unë do qëndroj deri në ndeshjen me Laçin dhe më pas do të diskutoj”.
OSMANI – “Nuk është problem për mua. Osmani nuk është në 100 % akoma. Prandaj ishte në pankinë sot”.
NDËRRIMET – “Nuk doja që të humbnim ekuilibrat në fushë, prandaj nuk i ndërrova mesfushorët, por bëra zëvendësime në pjesën sulmuese. Nuk kishim shumë opsione në pankinë për të bërë lëvizje të tjera”, përfundoi Egbo./abcnews.al

