TIRANË– Sali Berisha paralajmëron rikandidimin e tij për kryetar të PD në prill të vitit 2026. Kush të dojë, le ta rivalizojë.
“Do të ketë një garë për kryetarin e PD-së. Sigurisht që do të jem. Pyetje është kjo. Por e hapur ama, cilido.”
Mesazhi ishte i qartë, për rebelët. Si deputeti dhe kreu i forumit rinor, Besart Xhaferri i cili një ditë më parë i kujtoi doktorit të zbatojë njëherë statutin.
“Mandati i z.Berisha mbaron në prill 2026, dhe në prill të 2026 duhet të ketë zgjedhje brenda PD-së dhe nëse z.Berisha nuk ka ripërsëritur zgjedhjet, që do të thotë kauza e tij për të vërtetuar farsën elektorale duhet të vazhdojë, deri në atë moment dhe duhet të ripërsëriten zgjedhjet. Nëse nuk ripërsërit zgjedhjet, patjetër që nuk duhet të rigarojë”
Doktori e qetësoi Xhaferrin, por e udhëzoi të mos merret shumë me statutin. Sështë çështje zbatimi, por interpretimi.
“Natyrisht interpretimi i nenit të statutit, duhet të jetë i saktë. Statuti bën fjalë për zgjedhje, e jo për farsa dhe tani që ta mbyllim këtë punë, do të jetë anëtarësia e PD-së që do i bëjë interpretimin përfundimtar.”
Ky deputet, është i njëjti që 4 vite më parë e paralajmëroi Berishen se do e shpallte non grata me te rinjte demokrate nëse nuk mbante premtimet.
“Përveç një rrjedhje nga PD që do të kesh, do rrezikosh edhe një nongratë tjetër nga ne të rinjtë”
Në PD, non gratat i shpall doktori. Si Zheni Gjergjin që la partinë e zgjodhi qeverinë.
“Një gjë mund të them, për Sali Berishën, të gjithë ata që shkelmojnë mbi atë besim dhe atë mbështetje, janë automatikisht jashtë kësaj force politike.”
Por kur vjen te zgjedhjet, ndryshon puna. Nga Kuvendi u lajmërua se PD-PS kanë rënë dakord për të ngritur Komisionin e Reformës Zgjedhore. Me kushtin e barazimit, PS të ketë në krah Tom Doshin, kurse PD Agron Shehajn. Sali Berisha nuk ia ka besën Gjiknurit, ndaj i dha Bylykbashit rekomandimin e dytë në po kaq ditë. Të mos nxitohet.
“Nuk ka akoma një ekip të mandatuar nga ne që ky do jetë për këtë reformë. Tani, nuk kam asnjë dijeni për përbërjet. Sepse fillimisht në një variant që më sollën mua ishte që Tom Doshin e kalonin në opozitë, e kalonin tek ne. Prit, se doli dje nga Skapi tani, a e ka ndryshuar apo jo, të shohim çfarë do thotë Toma vetë.”
Kurse për partitë e reja opozitare, doktori është për një ofertë të madhe. Pasi i mbështetën Binajn, mund t’i japë statusin e një opozite të pavarur.
“Po të kishin kërkuar që të kishin grup parlamentar, ne do ta konsideronim shumë seriozisht që edhe ata të kishin grupin e tyre parlamentar.”/abcnews.al


