Lazio po kalon një moment magjik, vjen nga tetë fitore radhazi në kampionat dhe kreu i renditjes është vetëm tre pikë larg. Përmbysja e çmendur në fushën e Cagliarit me dy gola në shtesa i ka lumturuar të gjithë, por Igli Tare nuk i kursen thumbimet dhe ka një mesazh për skuadrën.
Shqiptari i Lazios, i cili mban rolin e drejtorit sportiv dhe është arkitekti i kësaj skuadre që po shkëlqen, flet edhe për titullin kampion në një deklaratë të bërë gjatë festës që bëri klubi për afrimin e Krishtlindjes.
“Një muaj e gjysmë më parë ishim të mbaruar dhe duhet të iknim të gjithë në shtëpi. Përmbysja në Cagliarit konfirmon që jetojmë në një qytet ku mjafton pak për të kaluar nga yjet në baltë. Duhet ta shijojmë me entuziazmin e duhur periudhën që po kalojmë. Është një moment i bukur dhe magjik, por duhet ta kemi të qartë se rruga është ende e gjatë.
Titulli? Më pëlqen të jem entuziast dhe të them që nuk duhet të kemi frikë për të luftuar për titullin kampion, por duhet të jemi po kaq të kujdesshëm. Ekipet e tjera janë ndërtuar ndryshe dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.
Kemi kohë që kemi krijuar këtë grup, nuk lindi sot. Kundër Cagliarit u pa edhe ai shpirt që kishte munguar. Tani është radha për të sfiduar Juventusin në finalen e Superkupës, jemi gati për këtë përballje. Pengu? Eliminimi nga Europa League, pasi ndodhi për fajin tonë“, përfundon Igli Tare. /abcnews.al