Drejtuesi i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka bërë të ditur në emisionin “Real Story” në ABC Neës se është një ndër kandidaturat e mundshme për zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës, që do të mbahen më 9 nëntor.
Ai theksoi se vendimmarrja brenda forcës politike është drejt përfundimit dhe se gara e vështirë për kryeqytetin e motivon edhe më shumë për të kandiduar.
Sipas Qorit, qytetarët e Tiranës janë gjithnjë e më të hapur ndaj alternativave të reja, dhe zgjedhjet e ardhshme nuk janë thjesht administrative, por përfaqësojnë një përballje të fortë politike.
“Unë e kam thënë publikisht që ne jemi në një proces vendimmarrës. Kam përshtypje që për pak ditë e ndajmë këtë punë, sigurisht që kandidaturë e mundshme jam dhe unë. Sa më e vështirë të jetë gara, aq më shumë dua që të kandidoj. Redi Muçi po bën një punë të jashtëzakonshme në Kuvend. Sa më e vështirë të jetë gara aq më mirë e kam unë për të bërë përpara. Gara për Tiranën është e vështirë, mirëpo mua më duket se njerëzit po ndryshojnë. Fitorja e PS në Tiranë nuk ka qenë organike, edhe ata që votojnë shajnë në përdhëmbë dhe mbyllin hundën.
Mundësitë janë, qytetaria e Tiranës është e para që pret të renë dhe rezultatet e 11 majit tregojnë një përqindje dukshëm të lartë për partitë e reja. Kur je në rrugën e së drejtës dhe thua të vërtetën , ngjarjet të japin përkrahjen e qytetarëve. Gara për Tiranën është e vështirë dhe probabiliteti nuk është i lartë për të fituar. Për Lëvizjen Bashkë në strategjinë afatgjatë është një progres, mendoj se kemi shumë potencial për të përmirësuar rezultatin tonë.
Ne do të bëjmë një fushatë, që ajo që do të sjellim do të jetë propozuese dhe alternativa. Nuk do të heshtim duke thënë të vërtetat. Të mos harrojmë që këto nuk janë vetëm zgjedhje administrative, por janë zgjedhje politike shumë të forta”, tha Arlind Qori./abcnews.al

