Dallas Mavericks mundi papritur Milwaukee Bucks në ndeshjet e fundit të basketbollit amerikan. Skuadra mike fitoi, pavarësisht se ylli i vendasve, Giannis Antetokounmpo bëri një paraqitje të madhe.
Shkëlqeu si zakonisht, madje edhe më shumë, por as kjo nuk mjaftoi. Giannis Antetokounmpo ishte lojtari më i mirë i mbrëmjes në NBA, duke shënuar 48 pikë për Milwaukee Bucks, veçse duke mos e shmangur dot humbjen ndaj Dallas Mavericks.
Nuk bëri punë fakti se ndeshja u luajt në shtëpi, as që miqtë ishin pa yllin kryesor, Luka Doncic tw dëmtuar. Basketbolli është lojë kolektive dhe një lojtar i vetëm, sado i shkëlqyer, nuk e mposht dot një skuadër.
Nëse Antetokounmpo luajti në mënyrë të madhërishme, duke shënuar 48 pikë e kapur 14 topa në tabela, Dallas Mavericks pati shumë basketbollistë që luftuan fort. Më i miri, letonezi Kristaps Porzingis me 26 pikë, 12 topa në tabela, 4 asiste e dy bllokime gjuajtjesh.
Krah tij edhe Seth Curry me 26 pikë, Finney-Smith me 15, Brunson me 13 pikë e 11 asiste, Wright po me 13 pikë dhe Kleber me 10 pikë e 7 topa në tabela. Për Milwaukee vetëm Korver, Ilyasova dhe Hill u përpoqën të ndihmonin kapitenin. Në fund, miqtë ia dolën 120-116, duke mbajtur vendin e tretë në Konferencën Perëndimore.
Për vendasit mori fund seria prej 18 fitoresh radhazi, e dyta më e gjatë në historinë e klubit, pas asaj të arritur në 1971 kur u shpallën kampionë. Gjithsesi, sezoni duket i jashtëzakonshëm dhe Antetokounmpo pritet t’i udhëheqë shokët drejt objektivit kryesor, titullit në NBA. /abcnews.al