Komunizmi shqiptar: Propaganda dhe realiteti vjen e rrëfyer përmes fotografive

schedule16:41 - 16 Dhjetor, 2019

schedule 16:41 - 16 Dhjetor, 2019

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit  sjell përmes një ekspozite fotografike vuajtjet e të burgosurve, jashtë propagandës së kohës. Të mbijetuarit rrëfejnë  tmerrin e  asaj kohe edhe si zë i  të zhdukurve. Për herë të parë prezantohen edhe fotot e të vrarëve në kufi.

“Ajo çfarë shohim dhe dëgjojmë janë dy gjëra të ndryshme ndaj reliteti dhe propagandës” shprehet Lleshanaku.

45 vitet e errëta të diktaturës komuniste dhe shija e hidhur që regjimi la dekada më pas, duket se nuk kanë arritur ta zymtësojnë shpirtin e të mbijetuarve, të cilët kujtojnë për të mos harruar.

“Ka rrënjë të thella sepse komunizmi është një nga sëmundjet më të rënda dhe më të thella që ka parë njerëzimi. Edhe kolera atë që rrëmben e rrëmben atë që lë gjallë e lë gjallë, por komunizmi lë një vragë që nuk shuhet deri sa të vdesim” thotë Uran Kotreci.

“Ai pranon se me komunizmin është njohur që në moshë fare të vogël, kur ishte vetëm 8-vjeç.

“Ka qënë një gjendje shpirtërore e pikëllueshme, sepse isha i vetëdijshëm që ne do të futeshim aty, por nuk dihet nëse do të dilnim gjallë. Edhe pse komunistët u përpoqën për të na vrarë, ndoshta Zoti një pjesë na kurseu që të flasim për ta, për të mos harruar”, tha më tej Kotreci.

Kuratorja Luljeta Lleshanaku, thotë se gama e fotove të rralla është e gjerë, sidomos vrasjet në kufi të cilat prezantohen për herë të parë.

Qëllimi është pasqyrimi realitet siç ishte dhe jo siç propaganda e ofronte përmes kronikave televizive apo dokumentareve të kohës, që vijnë si jehonë e së shkuarës nga aportolantët. Në sfond të këtij realiteti, përmes zërit(me copëza fjalimesh, kronika televizive, pjesë muzikore nga propaganda e regjimit), do të improvizohet propaganda komuniste, e cila ishte në kontrast të plotë me realitetin.

Në ekspozitë prezantohen fotografi të vrasjeve në kufi, fotografi të ish- të burgosurve politikë të marra në hetuesi dhe burgje.

“Ekspozita ka fotografi nga vrasjet në kufi, nga të burgosurit politik gjatë hetuesisë, qytetarë të huaj të cilët vuajtën nëpër burgje gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri”, tregon Lleshanaku.

“Mes tyre shquhen edhe foto të intelektualëve si Jusuf Vrioni apo Visar Zhiti.  “Ka personalitete si Isuf Vrioni, janë burgosur shumë të rinj për disa prej tyre është një jetë e shkuar dëm”, shprehet Lleshanaku.

Gjithashtu gjenden fotografi të klerikëve të burgosur dhe të ekzekutuarve, fotografi të fëmijëve në ambasadat e huaja në ngjarjen e 2 korrikut 1990, fotografi qytetarësh të huaj të burgosur në Shqipëri, etj. Fotografitë janë origjinale dhe shfaqen për herë të parë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë në oborrin Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit./abcnews.al