Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

Loading ... Loading ...
 

“’Mish dhie’: Ekspozita që të nxin syrin me të vërtetën e shoqërisë”

schedule14:45 - 25 Mars, 2026

schedule 14:45 - 25 Mars, 2026

Në një qasje të fortë dhe sfiduese, piktori Helidon Haliti vjen me ekspozitën “Mish Dhie”, një projekt artistik që provokon jo vetëm estetikisht, por mbi të gjitha mendërisht. Nën kurimin e Diellës (tjetër provokim ky), kjo ekspozitë hapet për publikun duke ndërtuar një narrativë të thellë mbi paragjykimin dhe mënyrën sesi shoqëria ndërton “të vërtetat” e saj.

Titulli, i papërkthyeshëm në anglisht, mbart një simbolikë të fortë: një shoqëri që ushqehet me perceptime dhe jo me fakte. Gjithçka nis nga një ngjarje intime e artistit, një aksident familjar i zakonshëm që u kthye në thashethem publik, ku një sy i mavijosur u bë “provë” dhe jo pasojë rastësie.

Në ciklin fotografik “Paragjykimi”, një mollë e kalbur vendosur pranë portretit nuk simbolizon fajin, por kalbjen e mendimit kolektiv. Haliti e kthen përvojën personale në universale, duke dëshmuar se si individi shpesh gjykohet nga një shoqëri që projekton frikërat dhe paragjykimet e veta.



Elementet figurative dhe simbolike ndërthuren me mini-dramat e jetës reale, frymëzuar edhe nga episode intime familjare, ku e vërteta dhe perceptimi përplasen vazhdimisht. Në këtë univers artistik, çdo “sy i nxirë” bëhet metaforë e plagëve që shoqëria i krijon vetes.

E mbështetur nga Universiteti i Arteve dhe Galeria FAB, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 3 prill 2026, duke ftuar vizitorët të përballen me një pyetje të thjeshtë, por tronditëse: a shohim realitetin, apo vetëm atë që duam të besojmë?

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!