Ermal Dredha ka reaguar pas dorëheqjes nga posti i kryebashkiakut të Vlorës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dredha është shprehur se dorëheqja e tij vjen si një akt reflektimi dhe përgjegjësie.
Dredha shton se është e rëndësishme të dish të largohesh me dinjitet, për t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja.
“Kam jetuar çdo ditë të këtij detyrimi me përkushtim të plotë dhe zell. Kam bërë më të mirën që kam ditur e mundur, ndoshta jo gjithmonë mjaftueshëm, por gjithmonë me ndershmëri. Kam qenë pranë njerëzve në ditë të mira dhe në ditë të vështira, dhe i kam ndjerë hallet dhe shpresat e tyre si të ishin familja ime.
Megjithatë, besoj se në një moment të caktuar është e rëndësishme të dish të largohesh me dinjitet, për t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja.
Dorëheqja ime vjen si një akt reflektimi dhe përgjegjësie. Rrethanat aktuale, familjare dhe personale, apo dhe ato politike e administrative, më shtyjnë të besoj se dorëheqja ime është veprimi mëi drejtë në këtë moment. Ky vendim nuk nënkupton largim nga përgjegjësia publike, por është një akt i vetëdijshëm për të krijuar hapësirë për ide dhe ritme të reja zhvillimi për bashkinë tonë.”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Dredhës./abcnews.al

