Afrimi i datës së zgjedhjeve lokale në Kosovë ka bërë që temperaturat e garës të rriten. Ka qenë Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që se bashkë me nënkryetarin Shkëmb Manaj, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë-padi kundër Ministrisë së Financave, për atë që ata e quajtën cënim të buxhetit të Komunës së Prishtinës.
Pas dorëzimit të kërkesës, Rama e ka akuzuar ministrin në detyrë te Albin Kurtit, Hekuran Murati, për bllokadë politike ndaj kryeqytetit.
“Kjo qeverisje vetëm bllokada ka bërë për çështje puro politike, ky ministër e ka blloku procesin kur e kanë parë që si kryeqytet po transferohemi. Kanë parë zhvillim dhe si rezultat kanë marrë masa të tjera ilegale. Ato fonde janë tonat dhe të taksapaguesve te kryeqytetit. Ne kemi përgatitur padi të tjera për ministra të tjerë”, ka thënë kryetari i komunës në Prishtinë, Përparim Rama.
Rama theksoi se bëhet fjalë për 35 milionë euro, para që sipas tij i takojnë ligjërisht kryeqytetit.
“Fondet të cilat me ligj i takojnë Kryeqytetit janë të bllokuara tash e nëntë muaj. Në instanca të ndryshme kjo qeverisje ka bërë bllokada në nivele të ndryshme, prej unazës së qytetit ku janë bllokuar 82 milionë euro të cilat kanë qenë falas, por për çështje politike ky ministër e ka penguar procesin”, tha Rama.
Paditësit kanë argumentuar se kjo është shkelje e rëndë e Kushtetutës së Kosovës, sepse cenohet buxheti por edhe jeta e qytetarëve.
Përparim Rama kandidon sërish nën logon e LDK për kryeqytetin, ndërsa përballë tij si rivali me i fortë shihet kandidatura e Uran Ismailit nga PDK.
/abcnews.al/

