Pushimet mbaruan edhe për Gjykatën Kushtetuese. Holta Zaçaj duhet të bëjë gati valixhet, kësaj radhe për të liruar postin e kryetares dhe gjyqtares të cilën e mban prej marsit të këtij viti, me mandate të skaduar.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka lejuar kandidimin e 3 figurave, numri minimal për të justifikuar garën për vakancën e hapur prej dhjetorit.
Por kush janë kandidatët për postin e Zaçajt?
Pretendentja kryesore për të zëvendësuar kryetaren aktuale të GJK, është Naureda Llagami. Ajo ka drejtuar Këshillin e Lartë Gjyqësore nga viti 2018 deri në 2024 dhe rezulton e kualifikuar në të gjitha drejtimet.
Por ajo ka 2 rivalë të tjerë. I pari Florian Ballhysa. Ai ka shërbyer si Komisioner Publik , organ i përkohshëm i Reformës në Drejtësi për pjesën e Vetingut, por përfundoi misionin më 1 janar të këtij viti, kur kompetencat e Komisionerit Publik i kaluan kreut të SPAK.
Pasi la me detyrim postin e Komisionerit Publik, Ballhysa po konkurron për një vend në Gjykatën Kushtetuese.
Dhe i treti, Asim Vokshi. Aktualisht gjyqtar i Gjykatës së Lartë, ai kërkon të marrë postin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese. Më herët, ka shërbyer në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit në Tiranë.
Tashmë Zaçaj nuk ka më në dorë asgjë, vetëm pret vendimin. Në dorë e ka, kreu i KED dhe Gjyaktës së Lartë, Sokol Sadushi.
Nga janari deri në muajin mars, kur duhet të gjente zëvendësuesen e Zaçajt, KED i ndaloi kandidimin 7 aplikuesve, mes të cilëve edhe ish-kryetarit të KLP, Alfred Ballës.
KED atëherë doli me justifikimin se nuk ka kandidatë mjaftueshëm të kualifikuar për të plotësuar garën për postin vacantë të Zaçajt. Dhe Zaçaj vijoi gëzoi mandatin e skaduar.
Por procesi sërish ngec.
KED po shtyn garën me verifikimin e disa kandidaturave të tjera. Një prej të cilëve është ish-kreu i KQZ, Denar Biba dhe anëtaren e KPK të Vetingut, Alma Faskaj.
Me këto skenare, loja po mbaron ose loja ska mbarim. Pasi edhe gara për gjyqtaren e dorëhequr, Elsa Toska është pezulluar po nga KED, me të njëjtin justifikim. Ska kandidatë mjaftueshëm, Kuvendi të rishpallë thirrjen.
Ndërsa Gjykata Kushtetuese përveç Zaçajt, vijon të mbajë edhe Sonila Bejtjan me mandat të skaduar. Për këtë të fundit, është caktuar me Presidencën një seancë më datën 16 tetor.

