Kishte nevojë vetëm për pak kohë. Por tani që Real Madrid ka hyrë në mekanizmat e reja të Xabi Alonso është bërë me të vërtetë I frikshëm.
Pas nisjes me fitore në sezonin e ri të La Liga, “los blamcos” u konfirmuan me një tjetër sukses, këtë herë 3-0 në fushën e Real Oviedo.
Edhe një herë protagonist ishte Kylian Mbappe, i cili duket se është kthyer në liderin e skuadrës madrilene.
Dy gola për sulmuesin francez, duke nisur nga ai që I dha epërsinë Real në minutën e 37-të dhe vendosi fatin e pjesës së parë.
Pas pushimit, ekipi drejtuar nga Xabi Alonso vijoi dominimin e tij me lojë dhe raste. Por goli i dytë dhe i qetësisë do të vinte vonë.Vetëm në minutën e 83-të, Kilian Mbappe gjeti sërish rrugën e rrjetës, duke dyfishuar avantazhin e miqve.
Edhe Vinicius Junior kurorëzoi mbrëmjen e tij pozitive. Sulmuesi brazilian shënoi golin e tretë në shtesë, duke vulosur përfundimisht fitoren e Real Madrid, që nga distanca I përgjigjet rivalëve të përjetshëm të Barcelonës në atë që pritet të jetë sërish një garë dyshe për titullin kampion në La Liga./abcnews.al

