Sezon i ri, por Manchester United i vjetër. “Djajtë e Kuq” nisën me një humbje të hidhur në shtëpinë e tyre Premier League, duke risjellë te tifozët e tyre fantazmat e dështimit në vitet e fundit.
Në “Old Traford”, festoi Arsenal, që fitoi 1-0 në atë që ishte sfida e parë e madhe e këtij edicioni të kampionatit anglez.
Fati i ndeshjes u vendos që në pjesën e parë.Kalafiori shënoi golin e përsisë në minutën e 13-të, ndërsa realizimi i mbrojtësit italian do të mbetej në fuqi deri në vërshëllimën e fundit.
Manchester United provoi me të gjitha mënyrat për të evituar humbjen, ndërsa zgjedhjet e trajnerit Amorim për të nisur sfidën me blerjet e rëndësishme të verës si Mbuemo dhe Cunha nuk dhanë rezultat.
E nëse për “Djajtë e Kuq” mbetet zhgënjimi i radhës në “Old Traford”, me këtë fitore Arsenal tregon shpejt forcën në sezonin e ri të Premier League.
“Topçinjtë” e Londrës shihen si favoritë bashkë me Liverpool dhe Manchester City, ndërsa pasi iu afruan shumë në edicionet e fundit shpresojnë që ky të jetë viti i duhur për t’i dhënë fund pritjes së gjatë për titullin kampion që i mungon prej më shumë se dy dekadash.
/abcnews.al/

