Tirana u rikthye te fitorja në derbi pas më shumë se pesë vitesh dhe u desh një gol në minutat shtesë i mesfushorit Winful Cobbinah, që bardheblutë të festonin. Heroi i derbit u ndëshkua më pas me karton të kuq dhe kështu do të humbasë ndeshjen e radhës me Flamurtarin, në shtëpi.
Të pezulluarit do të jenë tre, së bashku me ganezin. Michael Ngoo dhe Jurgen Çelhaka kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë në derbi dhe me vlonjatët nuk mund të aktivizohen. Trajneri Emanuel Egbo do t’i bëjë llogaritë pa këta tre lojtarë.
Jashtë për sfidën me Flamurtarin do të jenë edhe Edon Hasani e Ismael Dunga, të cilët janë të dëmtuar. Sikurse kuptohet, të dy qendërsulmuesit e skuadrës mungojnë dhe mbetet të shihet nëse do preferohet Halili në majë të repartit ofensiv, apo i riu Ernest Muçi.
Gjithsesi ka edhe lajme të mira, pasi Elton Cale e ka shlyer pezullimin në derbi. Mbetet të shihet gjendja e Tefik Osmanit, i cili në sfidën e djeshme me Partizanin ishte në stol. Korçari ka qenë i dëmtuar dhe nuk është stërvitur javën e shkuar me ekipin dhe shpresohet të jetë gati për ndeshjen e mesjavës me vlonjatët. /abcnews.al