Qeveria kineze ka njoftuar një skemë të re kombëtare subvencioni, e para në rang kombëtar, për të nxitur lindjet në vend, teksa përballet me rënie të vazhdueshme të normës së lindshmërisë dhe plakje të popullsisë. Prindërit do të përfitojnë 3 mijë e 600 juanë (rreth 500 dollarë amerikanë ose 375 paund) në vit për çdo fëmijë nën moshën tre vjeç.
Sipas mediave shtetërore, rreth 20 milionë familje pritet të përfitojnë nga kjo nismë, e cila synon të lehtësojë barrën ekonomike të rritjes së fëmijëve.
Skema, e bërë publike të hënën, do të ofrojë një shumë totale deri në 10,800 juanë për fëmijë dhe do të zbatohet në mënyrë retroaktive që nga fillimi i këtij viti. Prindërit e fëmijëve të lindur në periudhën 2022–2024 do të kenë gjithashtu të drejtën për përfitime të pjesshme.
Nisma vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme të autoriteteve lokale në Kinë për të përmirësuar normat e lindshmërisë, përmes politikave mbështetëse dhe stimujve financiarë.
Në muajin mars, qyteti Hohhot në veriun e vendit nisi ofrimin e deri në 100 mijë juanëve për çdo fëmijë për çiftet me të paktën tre fëmijë. Ndërkohë, qyteti Shenyang, në verilindje të Pekinit, ofron 500 juanë në muaj për familjet vendase me një fëmijë të tretë nën moshën tre vjeç.
Javën e kaluar, autoritetet qendrore në Pekin u kërkuan qeverive lokale të hartojnë plane për ofrimin e arsimit parashkollor falas, si pjesë e strategjisë së gjerë për të përballuar sfidat demografike të vendit.
Sipas një studimi të Institutit kinez të Kërkimeve mbi Popullsinë “YuWa”, Kina është një ndër vendet më të shtrenjta në botë për të rritur një fëmijë. Kostoja mesatare për të rritur një fëmijë deri në moshën 17 vjeç kap vlerën e rreth 75 mijë e 700 dollarëve amerikanë.
Të dhënat zyrtare të publikuara në janar tregojnë se popullsia e Kinës ka rënë për të tretin vit radhazi. Në vitin 2024 u regjistruan 9.54 milionë lindje, një rritje e lehtë krahasuar me vitin paraardhës, por popullsia totale e vendit vazhdoi të tkurret.
Me një popullsi prej rreth 1.4 miliardë banorësh, Kina po përballet me një plakje të shpejtë të popullsisë, çka e shton më tej shqetësimin për të ardhmen e fuqisë punëtore dhe për ngarkesën mbi sistemin social dhe ekonomik të vendit./abcnews.al

