Vijon emergjenca e zjarreve në vend – 21 vatra ende aktive, mbi 1300 forca në terren dhe ndërhyrje nga ajri në disa zona
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 45 vatra zjarri në të gjithë vendin. 21 prej tyre mbeten ende aktive, 16 janë nën monitorim, ndërsa 8 janë shuar nga strukturat operacionale. Në terren janë angazhuar 1,350 forca operacionale, 65 automjete zjarrfikëse, si dhe helikopterë të Forcave të Armatosura shqiptare, përfshirë helikopterë nga Kroacia, Italia dhe Hungaria, të dislokuar për ndërhyrje ajrore.
Zonat me situatë më problematike janë:
- Parku Kombëtar i Lurës – Vatra aktive në “Liqeni i Luleve”, Gropa e Madhe dhe Pllau i Gjurës, me rreth 50 forca në terren.
- Bashkia Mat (Zall Gjoçaj) – Zjarr me shtrirje mbi 14 km në tre drejtime, me mbi 46 forca të angazhuara.
- Qafë Buall, Bulqizë – Zjarri është përhapur në drejtim të qytetit të vjetër dhe fshatrave përreth. Janë angazhuar 120 forca dhe 2 helikopterë. Janë evakuuar 6 banesa, por nuk ka rrezik për zonat urbane.
- Bashkia Delvinë – Vatra aktive mbi fshatin Kalasë, me ndërhyrje të pamundur nga toka. Janë angazhuar 58 forca dhe 4 mjete të FA-së. Zjarr tjetër aktiv në fshatin Kopaçëz, ku ndihmojnë edhe helikopterët.
- Shmil, Elbasan – Rreth 50 forca në terren.
- Lisec, Gramsh – Zjarr në terren të vështirë, i izoluar në disa pjesë.
- Shkopet, Milot – Mirditë – Vatra përhapet në kufirin mes bashkive, mbi fshatin Lurth, me 80 forca të angazhuara.
- Mirditë (Kulmë, Fang) – Zjarr në sipërfaqe pyjore me përmasa të mëdha. Të përfshira janë 80 forca ushtarake dhe rreth 40 forca bashkiake.
- Devoll – Vatra në zonën Trestenik-Vishocicë, me rrezik për përhapje nga era.
- Pogradec, Kriçkovë – Forcat operacionale në terren për kontrollin e vatrës.
- Parku Kombëtar Prespë, Pustec – Vatër në fshatin Lajthizë. Nga 60 forca dje, pritet angazhimi i 75 forcave sot.
- Berat (Galinë) – Zjarr aktiv me ndërhyrje nga MZSH lokale.
- Fushëbardhë dhe Skërficë, Gjirokastër – Zjarri përparon drejt zonës së mbrojtur “Bregu i Pamjes”. Ndërhyrja ajrore në pritje.
- Memaliaj (Izvor i Vjetër, Duraj) – Zjarri vazhdon, ndërsa në fshatrat përreth është izoluar.
- Tiranë (Mali me Gropa) – Zjarr në 30 ha kullotë/pyll, 55 forca në terren. Arrestohet një i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.
- Tiranë (Ibë) – Zjarr në terren të pakalueshëm, ndërhyrje me 2 helikopterë dhe 6 mjete zjarrfikëse.
- Shijak (Shetel) – Zjarr në pyll, pritet ndërhyrje nga ajri.
- Malësi e Madhe – Vatër aktive në “Rraze Veshtit”, me 35 forca, ndërhyrja e vështirë për shkak të terrenit.
Vatra në monitorim ndodhen në: Mat, Bulqizë, Vlorë, Konispol, Librazhd, Korçë, Maliq, Skrapar, Dimal, Berat, Poliçan, Kukës etj.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në zonën e Shkodrës dhe lokalisht në disa qarqe. Megjithatë, rreziku për zjarre në pyje mbetet i lartë në të gjitha qarqet, veçanërisht në: Berat, Dibër, Elbasan, Fier, Lezhë dhe Vlorë.
Autoritetet janë në gatishmëri të plotë dhe bëjnë thirrje për bashkëpunim nga komuniteti, si dhe kujdes maksimal për të shmangur çdo shkëndijë të re zjarri. / abcnews.al

