Bajram Jashanica e përfundon dënimin e marrë nga UEFA për doping në muajin shkurt dhe për të ka disa oferta. Qendërmbrojtësi, i cili është në kontratë me Skënderbeun, ka disa oferta dhe mund të ndryshojë ambient së shpejti. Ai ka një periudhë të gjatë pa luajtur, dy vite, por cilësitë e tij dihen.
Një nga klubet që përflitet se kërkon shërbimet e Jashanicës është Shkëndija e Tetovës, që në janar mund të humbasë futbollistin Egzon Bejtulai. Ai ka oferta nga Turqia, konkretisht nga Trabzonspor. Futbollisti i Skënderbeut shikohet si zëvendësuesi ideal dhe trajneri Ernest Gjoka do e mirëpriste.
Gjithsesi ka konkurrencë për Jashanicën, pasi e duan dhe në Superiore. Sipas të përditshmes “Panorama Sport” , klubi i Kukësit është gati të nisë bisedimet për afrimin e Jashanicës në merkaton e janarit. Trajneri Shpëtim Duro e njeh mirë lojtarin, pasi e ka pasur nën urdhra te Besa, në momentin që mbrojtësi nisi të spikaste. /abcnews.al

