MIRDITË– Ish-burgu i Spaçit, një nga simbolet më të forta të qëndresës antikomuniste në Shqipëri është kthyer së fundmi në epiqendër të debatit publik.
Ndërhyrjet e nisura në këtë vend historik, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sipas një kërkese për realizimin e një filmi, kanë shkaktuar zemërim dhe kundërshtime nga ish të përndjekurit politikë, familjarë të tyre dhe qytetarë të angazhuar për ruajtjen e kujtesës historike.
Të mbledhur pranë rrënojave të burgut, protestuesit shprehën shqetësimin se projekti që po zbatohet dëmton rëndë autenticitetin e burgut të Spaçit.
Në protestë ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi.
Për shkak se ky burg ndodhet në territorin e bashkisë që ai drejton, apeloi që punimet të ndalohen dhe të rihapet diskutimi mbi projektin.
Protestuesit i kërkojnë Ministrisë së Kulturës të pezullojë menjëherë punimet dhe të nisë një proces të ri, të hapur dhe gjithëpërfshirës, për të garantuar që kujtesa historike e Spaçit të mos zbehet, por të transmetohet me dinjitet brezave të ardhshëm./abcnews.al

