TIRANË- Ekspertja e ekonomisë, Romina Rdonshiqi, e ftuar në “Money Report” analizoi programin ekonomik të Partisë Socialiste, e cila në zgjedhjet e 11 majit arriti të korrë një sukses të jashtëzakonshëm përballë rivalëve të saj duke siguruar plot 83 mandate, pa përfshirë këtu votën e Diasporës, e cila vijon të numërohet në Parkun Olimpik.
Ajo theksoi se qeveria duhet të ndërhyjë të skema e pensioneve për të rritur ato. Kjo masë shtoi ekspertja kërkon një ruajtje ekuilibri mes skemës së pensioneve dhe kontributeve në tregun e punës.
“Ndërhyrja në pensione është shumë e rëndësishme. Do bëhet një reformë në skemën e pensioneve, por ne duhet të kuptojnë se kontribuuesit na vijnë nga tregu i punës. Duhet reformë për skemën e pensioneve, por duhet të ketë dhe një ekuilibër në skemën e kontribuesve. Rritja pensioneve duhet të luftojë varfëria absolute dhe relative. Rritja e tyre duhet të bëhet gradualisht. Informaliteti dhe evazioni fiskal duhet të luftohen”, tha ajo.
Ajo analizoi dhe “paqen fiskale” të lançuar nga qeveria Rama. Sipas saj, kjo masë është një nga armët e qeverisë për të goditur evazionin dhe informalitetin në sektorin e biznesit.
Ekspertja e ekonomisë u shpreh se përveç turizmit, që është në rritje të vazhdueshme, vëmendja duhet çuar edhe në sektorë të tjerë.
“Paqja fiskale është një “armët” që ka qeveria për të luftuar evazionin dhe infromalitetin. Biznesi dhe qeveria duhet ta shohin njëri tjetrin si partnerë. Në fakt është mirëpritur paqja fiskale, e cila në është një nismë pozitive, e cila do të shmangte kontrollet.
Kjo do ta ndihmonte biznesin të jetë më i qetë dhe biznesi duhet ta shikojë qeverinë si partnere dhe ta bëjë biznesin më konkurrues. Qëndrueshmëria fiskale është shumë e rëndësishme.
Vëmendja më e madhe është te turizmi, sepse është zhvilluar shumë ky sektor. Nuk mund të ecet vetëm me një sektor, por duhet të shohim edhe sektor të tjerë, si në zhvillimin e bujqësisë dhe të rrisim bilancet tregtare, që do të thotë eksporti i produkteve “Made in Albania”.
Të fokusohemi te të rinjtë, me qëllim që ata ta shohin veten në Shqipëri. Tregu i punës duhet të rishikohet dhe të ristrukturohet dhe qeveria duhet të nxisë këto praktika”, tha ajo./abcnews.al

