TIRANË-A thua mund t’ia dalin për të dytën herë radhazi?
Shumë pak skuadra në Shqipëri kanë bërë “bis” për titull, por Egnatia e ka shansin që t’u bashkohet.
Kampionët e vendit, që i përkasin një qyteze të vogël e modeste si Rrogozhina, u treguan sërish të mëdhenj duke dalë përsëri në finalen për trofeun e madh të Superligës.
Kjo, edhe pse gjysmëfinalja ndaj Partizanit u fitua vetëm falë rregullores, me shifrat 0-0, sepse Egnatias i mjaftonte barazimi duke qenë më lart se të kuqtë në renditjen e fazës së rregullt.
“Arena Kombëtare” u bë dëshmitare e një sfide shumë më të vakët sesa përballja mes Vllaznisë e Dinamos, që pati tre gola, raste të shumtë dhe polemika e tension.
Skuadra e trajnerit Edlir Tetova kontrolloi 90 minutat plus shtesat, duke mos krijuar shumë, ndërsa Partizani I Skënder Gegës vuajti mungesën e cilësisë, sidomos në sulm.
Vetëm në minutat e fundit, kryeqytetasit deshën të shënonin, por nuk ia dolën.
Pra, “përralla” Egnatia vazhdon.
Ekipi kampion në fuqi, që ka fituar dy Kupa të Shqipërisë radhazi, po ashtu Superkupën, dhe që u mund vetëm me penallti në finalen e kupës pak ditë më parë, ka shansin për një tjetër trofe të madh.
Me atë që ka treguar këta dy vjet e meriton plotësisht, ndonëse Vllaznia rivale padyshim që ka mendim krejtësisht tjetër.
Pritet finale e fortë në 12 maj, gjithnjë në “Arenën Kombëtare” në kryeqytet.
/abcnews.al


