Barcelona vazhdoi serinë e fitoreve në La Liga, ku mposhti dje në mbrëmje 5-2 Mallorca në ‘Camp Nou’. Kapiteni i blaugranave, Lionel Messi, para fillimit të takimit prezantoi para tifozëve ‘Ballon d’Or’ e tij të gjashtë. Ndeshja për argjenitasin nuk kaloi shumë e qet,ë sepse u përfshi në një debat me trajnerin mik.
Kur miqtë shkurtuan diferencën në 2-1, Messi ndodhej afër pankinës së Mallorcës dhe ai i kërkonte gjyqtarëve ndëshkimin me karton të verdhë për një faull. Këtu ndërhyri trajneri i Mallorca, Vicente Moreno, i cili shkëmbeu disa fjalë me Messin.
Në përfundim të ndeshjes, Moreno sqaroi situatën për mediat. ‘’Janë disa lojtarë që jetojnë në flluska dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Ai është një lojtar ndryshe nga të tjerët, por si njeri ai duhet të trajtohet si gjithë të tjerët. Gjyqtari i tha atij se nuk ishte faull, por Messi nuk ishte i bindur. Thjesht nuk kishte vend për diskutime,’’ tregon trajneri i Mallorca. /abcnews.al