Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Arsenal përballë “mbretërve”/ Real Madrid viziton Londrën në Ligen e Kampionëve

schedule12:41 - 8 Prill, 2025

schedule 12:41 - 8 Prill, 2025

Kanë kaluar gati fiks 20 vjet. Ishte fundi i shkurtit i 2006-ës kur një gol personal nga Tieri Henri vendosi fatin e duelit mes Arsenalit dhe Realit të Madridit. Anglezët fituan 1-0 në “Bernabeu”, barazuan 0-0 në shtëpi, duke arritur çerekfinalet e Championsit, dhe ky është precedenti i vetëm mes dy rivalëve që nisin sonte sfidën për në gjysmëfinale.

E pra, Arsenali është një nga të paktat skuadra që mund të mburret se ka bilanc pozitiv me “mbretërit” e futbollit botëror, ndonëse nuk mund të thuhet se kjo do të ndikojë sado pak këtë herë.

Trajneri Mikel Arteta është në stoline një ekipi që gjithmonë pretendon, por përherë del I dyti në Premier Ligë, dhe që nuk e ka fituar asnjëherë Championsin. Edhe “topçinjtë” që do të zbresin sonte në fushë në stadiumin “Emirejts” të Londrës në orën 21:00 janë krejt pa përvojë në këtë kompeticion, të tillë si Partej, Saliba, Timber, Ljuis-Skeli, Rajs, Odegard apo Martineli.

Shpresohet që Bukajo Saka të jetë më në fund titullar pas dëmtimit, Magaljaesh mungon, ndërsa Arteta flet me optimizëm.

“Është mbrëmja ime më e madhe në stolin e Arsenalit. Kanë kaluar 20 vjet në historinë e këtij klubi kur ne luajtëm një ndeshje të tillë, dhe për ne kjo është një mundësi e madhe për të qenë pjesë e historisë. Ne jemi këtu pikërisht për këtë. Entuziazmi tek tifozët është i madh, dhe unë I ftoj që të vijnë në stadium dhe të na ndihmojnë që të mundim Realin”.

Po Reali?

Momenti nuk është aspak i mirë, por “merengesit” mbeten në garë për gjithçka.

Janë në çerekfinale të Championsit, në finalen e Kupës së Mbretit, dhe vetëm 4 pikë prapa Barcelonës në La Liga, në vend të dytë.

Gjithsesi, në tri ndeshjet e fundit janë pësuar 8 gola, dhe trajneri Karlo Ançeloti sërish ka shqetësime me prapavijën.

Karvahal, Mendi e Militao janë jashtë, Çuameni po ashtu, ndërsa portieri Kurtua është në dyshim.

Për fat, Mbape, Vinisius dhe Rydiger vetëm u gjobitën nga UEFA e nuk u pezulluan pas festimit ndaj Atletikos.

Ançeloti thotë se çfarë duhet të bëjnë lojtarët e tij.

“Ne duhet të kemi kurajën dhe personalitetin për të dhënë maksimumin dhe për të qenë të motivuar. Gjëja kryesore është ta luajmë ndeshjen siç duhet, ashtu siç e kemi përgatitur. Përballë kemi një rival që di të luajë shumë mirë, me cilësi dhe nivel të lartë të futbollit modern. Duhet të jemi në nivelin tonë më të lartë dhe t’i bëjmë gjërat siç duhet”.

Arsenali jepet favorit për fitore këtë mbrëmje me koeficientin 2.15, ndërsa për Realin kuota është 3.4.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!