FFK nuk ka qetësi, teksa ditët e fundit është raportuar për tentativa për të larguar nga qeveria e futbollit dardan presidentin Agim Ademi. Mes të tjerash është lakuar edhe mundësia e një dënimi të FFK nga UEFA. Kjo ka shqetësuar tifozët e përfaqësueses së Kosovës, por edhe vetë futbollistët. Një prej veteranëve të ekipit, portieri Samir Ujkani, ka reaguar mbi situatën e krijuar ditët e fundit.
“Të shqetësuar nga lajmet që kemi lexuar sot në media, jemi të detyruar të reagojmë ndaj një situate për të cilën jemi habitur që ndodh tani, pikërisht në kohën kur kemi nevojë për stabilitet dhe mbështetjen e të gjithëve.
Futbolli i Kosovës ka mbijetuar e është zhvilluar me sakrifica të skajshme të shumë e shumë brezave dhe vetëm të bashkuar kemi arritur deri këtu. Rrugën nuk e kemi pasur të lehtë, jo vetëm ne brezi aktual i futbollistëve, por dhe ata që shtruan rrugën për ne deri këtu. Prandaj, pas gjithë këtyre sakrificave, nuk mund të lejojmë që për interesa personale të kujtdo qoftë, të rrezikohet një proces kaq i rëndësishëm siç është rrugëtimi drejt kampionatit europian.
Prandaj, në një situatë të tillë, u bëjmë thirrje të gjithëve që t’i lënë anash interesat personale dhe të rreshtohen pas nesh në qëllim për të realizuar ëndrrën, jo vetëm në aspektin sportiv, por dhe për të gjithë ata që gjatë këtyre dekadave kanë sakrifikuar për arritjen e këtij qëllimi; kualifikimit të Kosovës në një garë të madhe siç është kampionati europian. Si futbollistë, ne jemi në krah të pjesës institucionale të Federatës së Futbollit të Kosovës. Me respekt, Samir Ujkani, kapiteni i Kombëtares së Kosovës në futboll”, shkruan Ujkani. /abcnews.al