Tirana kërkon maksimumin e pikëve, ndaj një ekipi si Kukësi. Skuadra e drejtuar nga Julian Ahmataj synon kthesën te rezultatet pozitive dhe trajneri i bardhebluve ka programuar ndryshime të shumta në formacion për sfidën e nesërme, që nis prej orës 16:30.
Lëvizjet nisin që në mbrojtje, teksa Osmani mungon për shkak dëmtimi. Korçari edhe sot u stërvit i veçuar, ndërkohë që në rreshtimin e skuadrës së Tiranës u pa që Muça dhe Hoxhallari do ta nisin nga fillimi në qendër të prapavijës. Risia është në linjën e majtë, ku është parë i pozicionuar Albi Doka.
Edhe në mesfushë ka lëvizje. Rikthehet Batha nga pezullimi dhe e nis titullar, ndërkohë që një vend në formacion e ka rifituar edhe Jurgen Çelhaka. Në stol përfundojnë Karabeci, Cale dhe Torassa. Hasani do të jetë pak para qendrës së mesfushës, në mbështetje të Ngoo, ashtu si Halili dhe Cobbinah nga krahët.
Formacioni i mundshëm (4-2-3-1): Lika – Vangjeli, Muça, Hoxhallari, Doka – Batha, Çelhaka – Cobbinah, Hasani, Halili – Ngoo.