Papa Françesku ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në të cilën ndodhet bota sot, ku sipas tij ekuilibrat mes fuqive të mëdha janë cënuar dhe mjafton incidenti më i vogël që të nisë lufta.
“Kam frikë. është arritur aty ku s’mban më. Mjafton një incident që të fillojë lufta.” Me këto fjalë, ati i shenjtë Papa Françesku ka shprehur shqetësimin për situatën në të cilën ndodhet bota sot, një situatë që sipas tij mund të përkeqësohet nga momenti në moment. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve që e shoqërojnë në udhëtimin e tij për në Santiago të Kilit, ati i shenjtë ka lënë të kuptohet se i druhet edhe një lufte bërthamore, kur ka shpërndarë për reporterët foto nga Nagasaki, pas shpërthimit atomik të vitit 1945. Turi që Papa Françesku ka nisur për në Amerikën Latine do ta çojë atë fillimisht në Kili e më pas në Peru. Sidoqoftë, Jorge Bergoglio e ka nisur udhëtimin i qetë e i qeshur, sikurse është gjithmonë. Me të hipur në avion ai është takuar përzemërsisht me kapitenin dhe dy stjuardesa që po e prisnin dhe më pas është kthyer për të përshëndetur me dorë të gjithë të pranishmit. Në aeroportin e Santiagos, ati i shenjtë do të pritet me një ceremoni ku do të jetë e pranishme edhe presidentja në ikje e vendit, socialistja Michelle Bachelet dhe më pas do të transferohet në Ambasadën Apostolike të Paqes, që do të shërbejë si rezidencë gjatë qëndrimit të tij. Përveç kryeqytetit të Kilit, Papa do të vizitojë edhe qytetet e rajonit Temuko, në jug të vendit, ku do të takohet me popullsitë indigjene Mapush dhe Ikike. Edhe në Peru, përveç se në Lima, ai do të ndalojë edhe në Puerto Maldonado dhe Truhijo, dy qytetet në bregun e Paqësorit të goditura vitin e kaluar nga tufani “El Ninjo”./abcnews.al