TIRANË-Për të dytën ditë radhazi, kryeministri Edi Rama mblodhi ministrat dhe drejtuesit politike të qarqeve në një takim informal në Pallatin e Brigadave.
Në fokus të diskutimeve ishte programi i Partisë Socialiste për Zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ministrat kanë bërë një analizë të detajuar të projekteve dhe investimeve të kryera duke shpalosur në këtë mënyrë edhe objektivat për mandatin e katërt qeverisës.
Drejtuesit politike të qarqeve kanë tashmë listat paraprake të kandidateve, të cilat do të diskutohen në takime të veçanta me kryeministrin Edi Rama, duke nisur nga e diela deri të mërkurën, kur është edhe afati përfundimtar për dorëzimin e listave.
Për të përmbushur objektivin prej 84 mandatesh, e gjithë retorika elektorale e socialistëve pritet të ndërtohet mbi togfjalëshin: “Me ne në BE, me bufin ne kënetë”, pasi edhe me herët Rama ka thënë se mandatin e katërt e kërkon për te ulur Shqipërinë në tryezën e Bashkimit Europian, si anëtare me të drejta te plota.
Në filtër do të kalojë edhe diaspora.
Të hënën ne selinë rozë, kryeministri Rama do të mbledhë bordin e diasporës, për të përcaktuar edhe detajet e fushatës elektorale me emigrantët.
Vetë kryesocialisti Edi Rama ka shprehur ambicien për afro 1 milion vota, tanimë që në zgjedhje do të marrin pjesë edhe shtetasit që jetojnë jashtë Shqipërisë. Referuar të dhënave zyrtare peshën më të madhe vota e diasporës do e ketë në qarkun e Tiranës dhe Fierit. /abcnews.al

