Ka nisur me një minutë heshtje, në shenjë nderimi për viktimat që la tërmeti i 26 nëntorit, seanca e Kuvendit ditën e sotme. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci më pas e ka nisur seancën me 3 refleksioni sic i quajti ai.
Ruci tha se mësimi që të gjithë duhet të nxjerrim prej humanizmit dhe solidaritetit dhe prej sakrificave të shqiptarëve kudo ku ndodhen.
“Ne ligjvënësit duhet ta lexojmë mirë dhe thellë sjelljen e qytetarëve tanë dhe bashkëkombësve tanë. Do të falënderoja kolegët e mi deputetët që këto ditë u gjendën dhe do të vazhdojnë të gjenden pranë qytetarëve.
Do të vlerësoja përgjegjësinë dhe impenjimin e qeverisë për masat emergjentë si dhe përgatitjet që po bën për zgjidhjet e këtij problemi. Do të falënderoja këto edhe opozitën parlamentare dhe jo parlamentare që dhanë shembullin dhe ndihmën e tyre.
Do ti bëja thirrje të gjitha palëve, për shpirtin e 50- viktimave, të ndjejmë apelin e mijëra të lënduarve, mijëra familjeve që mbetën pa strehë, të nxënësve që u janë rrënuar shkollat, të bashkëpunojmë për të lehtësuar dhimbjen e tyre.
Refleksioni i dytë, gjatë viteve të fundit kemi bërë shumë reforma dhe kemi miratuar kode e korpuse ligjesh por 26 nëntori duhet të na zgjojë, dhe duhet të na kujtojë se diçka nuk e kemi bërë mirë dhe si duhet. Do i ndaja ligjet në dy grupe të mëdha në ligje, ligje që rregullojnë punën e shoqërisë dhe në ligjet që rregullojnë marrëdhëniet dhe bashkëjetesën tonë me natyrën.
Është e pamundur që në pak ditë të formosh një gjykim mbi ligjet tona por në këtë grup të dyte sigurisht që situata na nxori se diçka nuk shkoi. Prandaj mendoj se legjislacioni mbi tokën dhe parandalimin e fatkeqësive natyrore nuk është thjesht e papërsosur, dyshoj se në mjaft çështje nevralgjike të kompetencave tona me natyrën dhe në menaxhimin e mjedisit kemi mjaft probleme.
Refleksioni i tretë lidhet me instrumentat që përdorim për të zbatuar ligjet që kemi miratuar sidomos korpusin e ligjeve të bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës me natyrën. Nga ky korpus veçoj bllokimet për ndërtimet. Tërmeti na rikujtoi se kemi nevojë për një vetting të thellë për të verifikuar kualifikimet, aftësitë, agjensitë, procedurat, rregulloret, licencimet dhe lejet për të ndërtuar.
Natyrisht të verifikojmë nuk është punë e lehtë sepse kërkon kohë dhe energji por duhet të nisim të mendojmë për këto duke marrë masa.
Së fundi dëshiroj tju informoj se u kam shkruar të gjithë kuvendeve të vendeve partnere mike për ti falënderuar për ndihmën bujare si dhe për tu kërkuar ndihmë për zgjidhje afatgjata. Mbështetja e vendeve mike nuk do na mungojë“, tha Kryetari i Kuvendit në nisje të seancës./abcnews.al