Shoqata e arkitektëve: Deri tani është parë si të përfitohet nga ndërtimet, është koha ta ndryshojmë

schedule09:21 - 5 Dhjetor, 2019

schedule 09:21 - 5 Dhjetor, 2019

I ftuar në studio me gazetarin Enkel Demi në ABC-ja e mëngjesit ka qenë kryetari i shoqatës së arkitektëve Prof. Asoc. Armando Vokshi.

Vokshi foli për nismën më të re që shoqata e arkitektëve i ka bërë propozimet e saj qeverisë për përmirësimin e legjislacionit për ndërtimet. Shoqata e arkitektëve është përfshirë në komitetin e rindërtimit.

“Ka një potpuri ndërtimesh dhe secili nga ata është rast më vete studimi. Tani që flitet i kujt është faji, mendoj që është një hulumtim që duhet bërë nga profesionistët. Shumica e pallateve i rezistoi tërmetit dhe ndaj dua të falënderoj inxhinierët të cilët kanë ndërtuar pallatet që i rezistuan stuhisë së tërmetit, i kanë rezistuar ndërtime të ndërtuara para viteve 90 dhe pas 90-ës. Inxhinierët kanë filluar ti ndajnë dhe ti kategorizojnë në ato të dëmtuara shumë dhe ato më pak dhe në ato që duhen rikuperuar”, tha Vokshi.

Enkel Demi: Ju keni bërë një paketë propozimesh ndaj qeverisë?

Armando Vokshi: Duhet kuptuar që dëmet janë të mëdha. Pasi të mbaroj periudha e emergjencës do të vij një fazë e dytë përsëri tepër e vështirë. Gjithmonë këto fundet e katastrofave dhe luftërave kthehen në një luftë progresive. Ne si shoqatë e arkitektëve, mendojmë që është momenti i duhur, për të ndërhyrë, për të plotësuar boshllëqet, që janë lënë pas dore, si nga pikëpamja ligjore, si nga ajo ndërtimore. Kemi nxjerrë disa pika, që mendojmë se janë shumë të vlefshme. Pasi të kemi parë dëmet, dhe familjet pa shtëpi, atëherë shteti mund të hapë, dhe të krijojë lagje të reja. Ka ardhur koha që ti japim vendin e duhur personave që janë të kualifikuar, të mirëpaguhen. Kur nuk ka fatkeqësi duket sikur janë parazit këta njerëz ndërsa kur ndodhin i vendosim në krye të tavolinës. Në rast se do bëhen lagjet e reja, do të ishte mirë që të organizoheshin konkurse, për tu zgjedhur ideja më e mirë, ku të marrin pjesë të gjithë.

Enkel Demi: Pra kjo që ju propozoni është ta rithemelosh tregun.

Armando Vokshi: Janë disa pika, që ne kemi hedhur në tavolinë, janë të gjitha të negociueshme. Pika të tjera me siguri do dalin rrugës. Deri tani kahja, ka qenë kundrejt fitimit, përfshi dhe arkitektët, dhe pjesa që ka humbur, është pjesa e ndërtimit. Nuk kemi parë se si të ndërtojmë një qytet të qëndrueshëm, dhe të jetueshëm./abcnews.al