Kreditimi i ekonomisë vijoi rritjen edhe për muajin janar. Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, në muajin janar bankat disbursuan 31,9 miliardë lekë kredi për ekonominë, me një rritje prej 36% me bazë vjetore.
Brunilda Isaj, sekretare e Shoqatës së Mikrofinancës, tha në një intervistë për “Money Report” se se rritja e kreditimit në janar është ndikuar nga efektet sezonale dhe dinamikat e tregut.
“Fillimi i vitit krahasimisht me dhjetorin dhe për shkak të dinamikave të tregut paraqitet me rënie të lehtë por sapo kemi mbyllur një vit mjaft aktiv në drejtim të kreditimit. Ka paraqitur rritje dyshifrore sidomos kredia për sektorin privat, e biznesit në fasha më të larta, por në sektorin jo bankar dhe kreditë mikro kanë reflektuar zhvillime pozitive. Kredia për mikrofinancën konsumatore paraqet rritje impresionuese. Pavarësisht normave të larta, që drejt fundit të vitit kanë pësuar dhe pritet të pësojnë ulje të mëtejshme, sërish kjo nuk e ka penguar tregun që të ketë kërkesë hibride, të mbështesë nevojat e veta dhe t’i qaset në mënyrë proaktive institucioneve financiare banka dhe jo banka.”, u shpreh ajo.
Sipas saj, qëndrueshmëri kanë paraqitur edhe institucionet jo bankare.
“Cilësia e kredidhënies ka mbetur pozitive në institucionet financiare jo banka gjithashtu. Krahasimisht me sektorin bankar reflekton qëndrueshmëri që dmth aftësia paguese nuk e ka cenuar tendencën e zakonshme gjatë vitit 2024. Në disa sektorë paraqitet më e përmirësuar. Është injektuar likuiditet në masë dhe tregu e ka mbajtur me projektet dhe kthyeshmërinë e tyre.“, shtoi Isaj.
Duke u ndalur te rregulli që një qytetar nuk mund të marrë më shumë se dy kredi konsumatore, ajo tha:
“Qytetarët i drejtohen institucioneve financiare për nevoja të ndryshme. Nëse janë qëllime të vogla preferohen konsolidimi dhe dhënia njëherë e kredisë që klienti të mos përballet me shtesa këstesh dhe të mos cenojnë ritmin pagues. Nuk ka nevojë që një klient të ekspozohet me shumë kredi”./abcnews.al