Policia e Vlorës ka finalizuar këtë të mërkurë dy operacione me qëllim goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe kultivimit të bimëve narkotike me llamba, ku në pranga kanë rënë tre persona.
Në kuadër të operacionit “Danger”, u arrestua 38 vjeçari Endrit Sadedinaj pasi u kap me pistoletë me karikator dhe municion luftarak në lagjen “Pavarësia”, pranë Lungomares. Ai rezulton i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale në fushën e krimeve kundër personit.
Ky shtetas, në momentin që ka parë policinë, ka tentuar të largohej dhe iu ka drejtuar armën efektivëve, por s’ka mundur të qëllojë apo të largohet pasi është bërë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij. Arma do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi edhe një 33 vjeçar, i cili lëvizte bashkë me 38-vjeçarin, tashmë të arrestuar.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit të koduar “Indoor”, policia zbuloi në lagjen “24 Maji”, në katin e parë të një objekti trekatësh, dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ushtruar brenda këtyre ambienteve të përshtatur për kultivim me anë të llambave, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 780 bimë kanabis, ku 482 prej tyre ishin të mbjella në kubikë. Lartësia e bimëve narkotike të kultivuara arrinte në një lartësi 90 deri në 110 cm. Gjithashtu u sekuestruan 80 llamba të fuqishme ndriçimi, 8 aspiratorë për ajrosjen e ambientit, 80 transformator, medikamente, plehra kimike dhe pajisje të tjera të specializuara për rritjen e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Po gjatë operacionit, në këtë ambient u gjet dhe u arrestua në flagrancë 24 vjeçari Arjanit Lekgegaj, i cili dyshohet se kujdesej për bimët e kultivuara dhe siguronte kushtet për mirëmbajtjen e tyre. Ndërsa në kërkim u shpall një tjetër 24 vjeçar, i cili dyshohet se e kishte marrë këtë ambient me qira.
Gjatë operacionit, në vijim të kontrollit të ushtruar në këtë objekt, në një banesë në katin e tretë, të marrë me qira nga një 35 vjeçar, shërbimet gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis. Në vijim të veprimeve, poseduesi i lëndës narkotike u arrestua në flagrancë./abcnews.al


